Ali Asllani mes frymes poetike lindore dhe perëndimore

Shkruar nga

Baki Goxhaj

Një punë kërkimore që e kam bërë gjatë kohës që kam qenë student e kërkuar nga i dashuruari me Ali Asllanin, Bardhosh Gaçe dora vet.

1. Poeti i Dyanshëm

Ali Asllani, ky poet i dyanshëm, sa i njohur aq edhe i panjohur, sa i lëvduar aq dhe i përçmuar, sa i idealizuar aq edhe i mohuar, sa i lexuar aq edhe i censuruar. Si i tillë njihet ky njeri sot në Shqipëri. Normalisht, siç na shkon përshtat ne shqiptarëve të jemi të ndarë në dy a më shumë grupe, edhe në këtë rast jemi kësisoj. Grupi i parë e vlerëson poetin lab me fjalët më të zgjedhura dhe e ngre atë në piedestalin e idealizimit duke e këqyrur atë me admirim nga poshtë. Të tjerët e hedhin atë në udhën e përçmimit ku mund ta shkelë me këmbë çdokush që e mendon të arsyeshme një gjë të tillë. Një figurë që rron e gjallë dhe e freskët në mendjet e atyre që e njohin, por që kalbet e ngordhur dhe erërëndë në mendjen e atyre që nuk e njohin.

Për të argumentuar këtë shpresoj të mjaftojnë fjalët që do të citohen më poshtë. “Ky qenka një Naim i Labërisë e më tej!”1 Kështu mendoi Lefter Çipa kur lexoi për herë të parë poezitë e tij. Një vlerësim që nuk e merr çdokush. Të bëjnë të meditosh këto fjalë dhe të bëjnë të të vijë turp që e njeh kaq pak këtë gjeni të letrave shqipe. Ka shumë poetë Shqipëria por jo të gjithë janë njësoj. Ca janë mediokër, ca të mirë e ca të paharrueshëm. Duket se një nga të tretët është edhe Ali Asllani. Këtë e vërteton edhe përkthyesi i mirënjohur i Eseninit dhe poeti, Jorgo Bllaci kur thotë, “…vjershëtori… qëndron me dinjitet përkrah mjeshtërve të lirikës shqiptare, Naimit, Fishtës, Nolit, Mjedës, Lazgushit e Migjenit.”1 Ai nuk e lë me kaq, por shkon deri në idealizim kur pohon, “… këtë e them me plot gojën, është mjeshtri më i përsosur i poezisë shqipe.”3 Nga ana tjetër kemi dhe enciklopedistë injorantë e pompozë që nuk dinë të shkruajnë as gjuhën shqipe, që guxojnë e ngrenë pyetje retorike që përgjigjen e merituar e marrin në rrethin e ngushtë të njohurive të tyre. Ja çka thonë ata:

“N.q.s ky është një poet kaq i njohur, si ka mundësi … s’ja kam gjetur emrin në ndonjë enciklopedi, apo edhe në ndonjë tekst shkollor. Por mos harro faktin se sot e kësaj dite Ervin Hatibi, apo Mimoza Ahmeti studiohen në tekstet e gjimnazit. Ju na sillni këtu ca pseudo poetë, “patriota”, … e çuan Shqipërinë përpara këtu ku është sot. [sic]”4

Këtu duket akoma më qartë sa nxënës i mirë gjimnazi ka qenë autori i këtyre rreshtave sa që nuk e mban mend se Ali Asllani studiohet në gjimnaz! Por kjo s’mjafton, balta vazhdon të hidhet edhe mbi rilindësit pa pikë turpi.

“Njëkohësisht mos harro edhe “poetët e mëdhenj” të rilindjes, emrat e të cilëve s’kam përse të ti kujtoj unë, … i shkruanin aq me mall e zjarr, apo nostalgji për mëmëdheun, nga Amerika, turqia, egjipti, dhe … këtej pinin hashash me n’argjile, këtej shkruanin rreshta për mëmëdheun. Sa kanë vuajtur të shkretët. Se atëherë ju duheshe edhe vizë për të vajtur në Shqipëri, mos harro!!!!Ne kemi pasur plot figura të mykura, pseudo-figura, portrete diletantësh me prejardhje të dyshimtë. Ne mburremi me një amerikano-shqiptar, me gjysh shqiptar, … s’e di ku bie Shqipëria, dhe … etj, etj. Ky ishte një shembull!!!” Për të ardhur keq, por e vërtetë. [sic]”5

Megjithatë një përgjigje për këta injorant mendjemëdhenj dhe vet-zhvlerësues e gjejmë përsëri në fjalët e Jorgo Bllacit. Ai citon:

“Për fat të keq, kritika jonë tej mase e politizuare ka anashkaluar këtë vlerë të padiskutueshme të këtij vjershëtori…”6

Dhe kjo është e qartë sepse të gjithë e njohim censurën absurde që praktikohej në periudhën e kooperativave. Kjo mjafton edhe për t’ua mbyllur gojën atyre pseudo-intelektualëve të kombit tonë.

Njësoj si dyanshmëria e pikëvështrimit të vjershëtorit edhe ai vetë është i dyanshëm në përzgjedhjen e elementëve jopopullorë të përfshirë në poezinë e tij duke na dhënë frymë perëndimore e lindore të cilat do të jenë të pandashme nga poezia e tij. Kjo shpreh qartë edhe faktin se poeti jonë ka qenë një erudit nga të paktët e Shqipërisë. Por si u njoh Asllani me dy kulturat?

2. Lidhja e Ali Asllanit me dy kulturat

Nga jetëshkrim i Ali Asllanit duket qartë lidhja e tij me kulturën orientale qysh në fëmijëri duke qenë bir i një familjeje me frymë orientale, dhe me një baba të brumosur me dije teologjike islame në universitetin e Stambollit. Më pas një prezantim më të gjerë me orientin, sidomos me letërsinë e tij ia mundësoi vazhdimi i shkollës së mesme Zosimea në Janinë. Vite më vonë ai pati një ndryshim drejtimi njëqind e tetëdhjetë gradë duke i kthyer sytë dhe interesat nga perëndimi, gjë që më pas solli adoptimin prej tij të kulturës dhe mënyrës së saj të jetesës. Poeti i mirënjohur Fatos Arapi shprehet:

“I plazmuar si ai me kulturën e madhe të Orientit – sidomos atë persiane – dhe pastaj i kredhur përgjithmonë në kulturën dhe mënyrën e jetesës europiane, verbi i tij poetik vibron nga buzëqeshja e lehtë e një ironie të mençme, i një urtësie filozofike që vjen nga kuptimi ekzistencial të jetës.”7

Kjo tregon se poeti nuk e ka përjashtuar plotësisht njërën nga kulturat duke ndjekur fanatikisht tjetrën, duke marrë prej të dyjave atë që i dukej e vlefshme për t’u marrë. Këtë lloj rafinimi kulturash ai e ka shfrytëzuar akoma edhe më mirë në fushën e letërsisë. Në këtë aspekt atij mund i bëhet analogji me Naimin e madh.

“Fillimet e tij letrare të kujtojnë fillimet e romantikut tonë të madh Naim Frashrit. I arsimuar në shkolla turke dhe i ndikuar prej letërsisë orientale, Ali Asllani filloi ë shkruaj turqisht dhe vjershat e para i botoi në gazetat turke të kohës”8

3. Çfarë mori poeti nga lindja dhe perëndimi

Por si shumë të tjerë edhe poeti lab e ka poezinë orientale, me konkretisht atë persiane një pikë referimi që e shfrytëzon për të përgatitur brumin e poezisë së tij. Këtë ia mundësoi fakti se,

“Ali Asllani … kishte pasë fatin të njohë për së afërmi jetën dh e kulturën oriantale.” “Tërë poezia e Ali Asllanit shquhet për figurshmëri fringëlluese, që fryn nëpër vargje si një puhizë që ndez flakën e mallit, në të cilën poeti vetëdigjet: “rroj për ty e vdes për vete!” Na kujton flakën e qiriut ku Naimim ynë shkrihet e përvëlohet që tu japë njerëzve dritë. (Fjalët e qiririt). Këtë ide iluministe e gjejmë edhe te Gëtja në vjershën “Malli lumtur” ku i këndon atij që “përmes zjarrit” digjet për vete për të nxjerrë në dritën e së vërtetës atë që është “ngujuar brenda territ” (Nga “Divani perëndimor lindor). Te këta tre poetë ndjehet ndikimi i urtësisë orientale, e në këtë rasti poezisë persiane.”9

Na del hapur pasuria e poezisë orientale që nga gjiri i së cilës kanë pirë poetë që kanë hedhur në letër kryevepra.
Ushqimi i preferuar dhe më frutdhënës i poetit nga poezia orientale ishte poeti persian Omar Khajami. Ai ka marrë nga Khajami frymën epikuriane dhe hedoniste. Ai e do jetën dhe është optimist i madh për të. Ai gjithashtu e do vashën dhe verën duke i barazuar ato me lumturinë kur thotë duke i dhënë të drejtë Omar Khajamit kur thotë:

Në gjumë dhe në varr s’ka lumturi;
Ngreh’-u! Sa rron , zbraz Kupa e puth Çupa; (Rubairat)

Nga të qenët e tij në një mendje me Khajamin për faktin, siç shprehet ai vetë në një nga poezitë e tij, “Po Omar Hajami Diti e na bindi” arrijmë në konkluzionin se:

“…vrehet një poet “bon viveur”, që do ta shijojë jetën deri në fund, don të shpikë kupën e gëzimit që mund t’i falë dashunija. Ka në këto vjersha diçka epikuriane, khajamjane e anakreontike.” Megjithatë “…në thelb, poeti mbetet origjinal në pasqyrimin e mendimeve e ndjenjave të veta. Këtu “poeti epikurian, djekësi i Omar Khajam-it e i Anakreont-it, fillon të mendojë të bëhet disi sentimental, ma i përmbajtun e ma i thellë në të gjykuemit e jetës në përgjithësi ….”[sic]10

Por sa e ngjshëme është poezia e Ali Asllanit me atë të Omar Khajamit? Ja se ç’thotë Arif Demollari në revistën Jeta e re në vitin 1975 në Prishtinë

“Kur pohohet fryma khajmjane e poezisë së Ali Asllanit, mendohet vetëm një anë e rubai-rave të këtij poeti të madh të persisë, sepse dihet se ato janë tejet kontradikrore, shumë të pasura me ide dhe tejet interesante, për ç’arsye nuk mund të afrohet me poezinë e poetit tonë aq të varfër me ide.”11

Megjithëse thamë se poeti i Vlorës ka në themel të ndikimeve në poezinë e tij Omar Khajamin, kjo ide mbetet e cunguar pasi ai e ka njohur mirë traditën poetike orientale në përgjithësi dhe i ka lexuar poetet lindor për së gjalli, në gjuhën e tyre të cilën ai e zotëronte mirë si një mbështetës tjetër i erudicionit të tij.

Nga ana tjetër, edhe pse ndikimi perëndimor është më i zbehtë ai nuk mungon. Ai ngjan me poetët perëndimor në bohemitetin e tij edhe pse, siç e përmendëm më lartë për rafinimin e kulturave, ai e ka shkrirë këtë bohemitet perëndimor në kallëpe lindore duke i dhënë atij dimensione të reja. Ja se ç’thotë Arif Demollari për këtë pikë:

“Ai, të paktën ashtu siç të krijohet përshtypja nga poezitë e tij, ishte një boem. Ama boem i tipit të tij, specifik, i tipit oriental. Ai thuajse nuk ka asgjë të përbashkët me një Bajron , Bodler apo Jesenin, jeta a të cilëve është e përmbushur plot e përplotë me skandale. Më e drejtë është ta quajmë poet qejfi, sepse ky atribut oriental disi e përcakton më saktë atë.”12

Ai është ndikuar në përgjtihësi nga rrymat letrar europiane të kohës tij, por që edhe këtu ai ka ndjekur parimin e tij të marrjë së të mirës dhe lënies së të papërshtatshmes, gjithmonë sipas pikëpamjeve të tij. Arif Demollari vazhdon,

“Kur të marrim parasysh se ç’rryma letrare e përshkonin më tepër letërsinë e Europës në kohën vrullit krijues të poetit tonë dhe kur e analizojmë poezinë e tij pak më thellë, na duket se mund të gjejmë bukur shumë elementë të impresionizmit dhe ekspresionizmit. Ashtu si impresionistët, edhe Ali Asllani nuk ka ambicje të paraqesë botën objektive, por vetëm ndjenjat që nxit ajo. Por ndryshe nga poetët impresionistë, sepse kjo botë për të është e harmonishme dhe në të ai e ndjen veten shumë mirë, përkundër impresionistve të cilëve ajo ju dukej një kaos, ku e ndjenin veten të humbur. Ndërkaq kujdesi i madh që ka për vargun, për rimën, për anën akustike të tij, të kujton poetët simbolistë apo ekspresionistë. Mirëpo me që na mungojnë studimet, na duhet të qëndrojmë në terren hipotezash.”13

Qëndrimi në terren hipotezash përforcon edhe një herë faktin se poeti nuk është shfrytëzuar letrarisht sa duhet për të cilin shkak ka pasur dhe ka qëndrime të paqëndrueshme.

Këto dy ndikime edhe pse mund të dominojnë nuk qëndrojnë të vetme mbi themelet e poezisë së tij, poezinë popullore. Ato shoqërohen me ndikime dytësore, këto nga autorë shqiptar të përpunuar nga ai në mënyrën e tij.

“Identifikimi i bukurisë me dashurinë dhe këto të dyja bashkë me lumturinë , është një ndikim i padiskutueshëm naimjan…”14

Por mënyra se si e konceptonte Asllani dashurinë nuk përputhet me mënyrën e Naimit.

“Këta dy poet i afron më tepër përdorimi i mjeteve të ngjashme artistike dhe gjuha e pastër. E kjo mund të shpjegohet me mbështetjen e fort të të dyve në letërsinë popullore, me njohjen e kulturës orientale si dhe me autoritetin që kishte Naim Frashri te të gjithë poetët shqiptar të mëvonshëm”15

Poeti që e kërkonte të mirën kudo që të ishte nuk i vinte turp të merrte prej bashkëkohësve të tij.

“Prej Lasgush Poradecit Ali Asllani huazoi botëkuptimin e tij për origjinën e dashurisë dhe për tërë atë që mund ta quajmë mendim filozofik për dashurinë.”16

Megjithatë poeti lab nuk e nënvlerësoi asnjëherë atë mbi të cilën kishte ngritur gjithë krijimtarinë e tij, poezinë popullore dhe mund të themi se kjo ishte ajo që e bëri atë të madh.

“…stili i tij i ngritur mbi modelet e letërsisë popullore, kanë bërë që vjershat e tij të mësohen përmendësh e të përsëriten sikur të ishin krijime popullore shpesh duke humbur autorësinë e tyre.”17

Edhe Profesor Latif Berisha i bën një vlerësim mbështetjes së tij më poezinë popullore shqiptare. Ai pohon:

“Edhe pse ndonjëherë mund të hetohet në të një farë dozë e spekulimeve intelektuale, që na përkujton poezinë e Lukrecit ose linjën e hedonizmit epikurean të përhapur aq shumë në letërsinë botërore me “Rubairat” e Omar Khajamit, kurse në letërsinë shqipe pak të evidentuar në poezinë e Naimit, të Lazgushit dhe të Nolit, vargjet më të bukura të poetit mbesin ato që i këndojnë një dashurie konkrete, të përjetuar në ambientin e vet lab.”18

4. Ku shpalosen këto ndikime

Kalimi i shoqërisë shqiptare nga jeta patriarkale, feudale dhe aty-këtu me ngjyra orientale në botën e qytetërimit perëndimor është një katalizator për jetën tonë letrare. Ali Asllani ishte nga krijuesit që e shfrytëzoi këtë transformim shoqëror duke nxjerrë në pah problemet që erdhën me këtë ndryshim dhe përplasjet e dy kohëve. Kjo është, pa dyshim një nga ndikimet e Ali Asllanit nga autorë perëndimorë si: Balzaku, Ibseni, Tolstoi dhe Shou të cilët nxorën kryevepra nga probleme, që në pamje të parë mund të duken vogëlsira, të kohës së tyre. Kështu bëri dhe Ali Asllani duke na dhuruar një nga poemat më të bukura të letërsisë shqiptare siç është Hanko Halla. Kësaj mund t’i bëjmë një analogji me brumosjen e tij të dyanshme kulturore, atë orientale dhe perëndimore, gjë e cila e ka bërë poetin ta shpreh mendimin e tij në letër për të dyja kulturat duke u nxjerrë të metat dhe të mirat herë njërës e herë tjetrës duke shfrytëzuar më së shumti për këtë personazhin kompleks të Hanko Hallës.

Përveç poemës Hanko Halla brumosjen e tij letrare të shumëfishtë poeti e shpalos edhe në një varg të gjatë poezisë të cilave u fryn era Khajamiane dhe patosi jetësor. Përmendim: Çupëzë moj çupëzë, Gugu-gug-gugftu, Më lejo ta puth njëherë, Plaç o zemër, që s’u plake!, Them ta them…,Vidi vidi pullumbeshë, Vishet mëni, zhvishet vasha, etj.

Në këtë cikël poezish poeti duket sikur ka shkëputur këtë strofë të Khajamit,

Natën kur flija më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në varr s’ka lumturi;
Ngreh’-u! Sa rron , zbraz Kupa e puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi”

Dhe duke e gatuar atë me brumin e tij poetik popullor u ka dhënë mundësi të falsin një numri të madh poezish me natyrë epikureane dhe dashurore të shoqëruara me zbrazjen e kupave e me puthjet e çupave duke sugjeruar me këto të dyja natyrën e tij hedoniste. Ai i ka shkëputur këto katër fjalë, pi e puth, kupa e çupa, dhe i ka ndërthurur ato më sa e sa vjersha të tija duke u dhënë atyre natyrë të freskët khajmiane.

Pa çupë e pa kupë
Kjo kaptin’ kokalle,
Ësht’e rëndë mbi supe
Sa dy thas’ me halle!

Sado bab’ Ademi
Mundi e na lindi,
Po Omar Hajami
Diti e na bindi.

Qenka mos na qenka…
fundi varr’i Bamit,
mbetet vetem kenga
e poet Hajamit [Nga dorëshkrimet e poetit]

Në këto lloj poezish ai e thotë hapur mendimin e tij për puthjen e pijen duke i ngritur ato në nivelin e adhurimit ndaj Zotit.

Deh, mos befte prokopi
ajo zemer qe nuk digjet,
po ai qe s’puth e s’pi
si vall’ Zotit i pergjigjet? [Omar Hajam”, dil te dal!]

Një shpjegim më saktë të mendimit të tij lidhur me të kuptuarit tij të dashurisë e të rolit te saj në jetë, poeti na e jep në poezinë “ Pi e puth” Ku ai fillon me vargjet:

Ti përherë puth e pi !
pi e puth
si nje zok i zen’ ne kurth
përpelitet nëpër ode,
mbush nje gote e zbras nje gotë
dhe me flet për poezi!

Ai e shikon të dashurën e tij si “si një zok i zënë në kurth”. Kështu, me pije e puthje, ai do ta kalojë kohën. Kështu e gjen ai lumturinë.

Syri puthet, gota pihet,
Numri tyre s’mund të dihet
Kurse zemrat dashurohen
Gotat puthjet s’numërohen! [Pi e puth]

5. Ndikimet në gjuhë

Ali Asllani ka një shije të hollë për gjuhën. Megjithatë ai përdor turqizma dhe arabizma në poezitë humoristiko-satirike për të tipizuar personazhet. Në poezitë e dashurisë ai është një puritan. Në këto poezi hasen tepër rrallë huazime, si nga ato shekullore edhe nga ato më të fundit për përdorimin e të cilave ishte ngjallur një prirje në kohën e tij me që sytë e tyre ishin drejtuar nga perëndimi. Ai vazhdon rrugën e rilindësve në këtë drejtim, por edhe jep kontributin e tij në pasurimin e leksikut të shqipes.

Si në tërë poemën Hanko Halla në dy vargjet e mëposhtme shohim vendosjen e turqizmave dhe orientalizmave për të nxjerrë në pah karakterin e saj skeptik për kulturën e re që po adaptohej nga njerëzit në atë kohë.

Ja dhe mileti, nashti u bë popull,
Dhe nga sherr e tija, mendja na vjen rrotull.

Profesor Rexhep Qosja pohon se, “Vjershat e tij…kanë njëfarë arome orientale, të cilën ai e mbrrin me përdorimin e fjalëve turqishte apo arabishte[sic].”19

6. Përfundime

Gjella që pena e tij poetike na servir, e gatuar me brumë popullor e me erëza stilistiko-ideore të importuara më së shumti nga orienti dhe të përdorura më shije nga poeti duke lënë pak më pas ato të importuara nga oksidenti, por duke mos i harruar ato, është shumë e shijshme për lexuesin deri në atë pikë sa që kjo poezi përdorej nga një tjetër poet i madh i lirikës shqiptare, Lazgush Poradeci. Siç përdorte nëna shqiptare hashashin për fëmijët e pagjumë, ashtu edhe ai përdorte ëmbëlsinë e muzikalitetit dhe qartësinë e ideve për të rënë në gjumë, shoqëruar me zhurmën shushuritëse të dallgëve të detit në brigjet e Ujit të Ftohtë.

Banago, Prill 2005

1. Bardhosh Gaçe, Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare, Naim Frashri, 1997, f.105, duke cituar Lefter Çipën.
2. Ibid. fq.83, duke cituar Jorgo Bllacin.
3. Ibid
4. http://www.albforumi.com/ubb//ubbthreads.php/ubb/showflat/Number/7232264/site_id/1#import
5. Ibid
6. Gaçe, log.cit
7. Ibid, fq.71, duke cituar Fatos Arapin.
8. Ibid, fq.128, duke cituar Agim Nivicën.
9. Ibid, fq.225, duke cituar Arif Demollin.
10. Ibid, fq.59, duke cituar Prof. Muzafer Haxhiun.
11. Ibid, fq.191, duke cituar Mark Gurakuqin.
12. Ibid, fq.251, duke cituar Arif Demollarin.
13. Ibid, fq.225.
14. Ibid.
15. Ibid, fq.250.
16. Ibid, fq.251.
17. www.albforumi.com/ubb//ubbthreads.php/ubb/showflat/Number/7232264/site_id/1#import, duke cituar Sabri Hamitin.
18. Gaçe, op.cit, fq 151.
19. Ibid, fq.112, duke cituar Prof. Rexhep Qosen.

Komentuan

1 Vet

Etiketuar si:

Letërsi, Studim,

Thuaj nje llaf