Kopjacët

Shkruar nga

Baki Goxhaj

Fenomeni i kopjimit është një nga praktikat më negative dhe artificaile për të kaluar klasën.

Është thënë: “Kush kopjon, ngelet në klasë” dhe është bërë kjo fjalë fryma e moszbatimit të rregullave. Të gjithë e thonë atë e vetëm pak i largohet kopjimit; pak e thonë e akoma më pak e zbatojnë pjesën e dytë të saj. E kështu rrjedh jeta studentore e lidhur pazgjidhshmërisht me jetën pedagogeske.

Sot, në universitetin tonë, kopja nuk është më tabu, as mungesë morali, edukate e as turp. Këto të fundit janë të pa imagjinueshme, as nuk u shkojnë ndërmend këto gjëra studentëve. Madje ata shkojnë më larg; sot kopjimi është art, sot eksperimentohen mënyra të reja kopjimi, që nga ato standarde demode deri tek ato që ecin me hapin e kohës, kopjimi dixhital. Artistët janë krenar për artin e tyre, janë krenar për novacionet e tyre; e meritojnë! Hallall!

Megjithatë, kopjimi studentesk është akoma i ndalur nga pedagogët. Këta të fundit, kujdesen për këtë para çdo provimi; mbajnë një fjalim të shkurtër me karakter kërcënues. Studentët nga ana tjetër as që e vënë ujët në zjarr; nuk duan t’ia dinë se çfarë është përfundimi i kopjimit në atë provim; ata nuk janë tradhtor, nuk e tradhtojnë artin e tyre shpëtimtar, se pastaj ose do të pendohen ose do të ngelen në klasë. Kot çirren pedagogët; as që u var ndonjë student. Jo për ndonjë gjë por ata i kanë varur të gjitha gjërat e varshme tek pema fryte-shumë e kopjimit. Kështu, me keqardhje them se ky është realiteti i mjerueshëm studentor dhe kaq janë ambiciet e tyre bisht-prera.

Ekziston edhe një lloj tjetër kopjimi, i jashtëligjshëm, por nuk e ka kapur ligji deri tani. Është ai lloj kopjimi që quhet pikërisht plagjiaturë. Ç’ është kjo? Kjo është një gjëmë që na ka rënë në pjesë ta vuajmë. Ky tjetri është realiteti i mjerueshëm pedagogesk dhe kaq janë ambiciet e tyre hundë-prera. Çfarë ndodh? Po jua pikturoj në këtë shkrim. Më e rëndomta e të zakonshmeve është fotokopjimi. Nuk dua të më keqkuptoni; nuk kam asgjë me fotokopjimin, ajo është një nga arritjet më të mira të shkencës. Dua të them, fotokopjimi i faqeve të librave me një shenjë të mirë-dallueshme, që është pikërisht kjo: ©, C-ja brenda një rrethi. Kjo është shenja e të drejtës së autorit dhe do të thotë që ai material në të cilin është vendosur kjo shenjë nuk lejohet të kopjohet, të fotokopjohet, të shumëfishohet, të përvetësohet pa i marrë leje atij subjekti që vjen pas kësaj shenje, që mund të jetë autori, shtëpia botuese, të dy bashkë apo një i tretë, kushdo, që nuk ka shumë rëndësi. Ky lloj kopjim është kalimi i klasës së pedagogëve tanë. Sikur ta marrin vesh ata që posedojnë të drejtën e autorit të atyre librave që na serviren ne si leksione se çfarë bëhet me mundin dhe djersën e tyre, do të shkulnin flokët. Sikur këta të fundit t’i hidhnin në gjyq këta të parafundit, këtyre të parafundit do t’u binin flokët nga shuma të cilën do t’u duhej të paguanin për të dëmshpërblyer këta të fundit. E trajtova vetëm në aspektin ligjor; nuk po merrem me aspektin etik se e di që është e kot të ndalesh në ketë pikë, kur flet për njerëz të dalë nga ideologjia vlerë-zhveshëse komuniste e formimit “njeriut të ri” dhe që kanë aspirata perëndimoro-degjeneruese.

E dyta mënyrë plagjiature është, të shkuarit në internet, një kërkim i shkurtër në “google” dhe, hop, ja ku jemi, në faqen e internetit ku me një komandë pesë-gërmëshe “print” mbaron përralla; leksioni është gati. Pastaj leksioni na vjen ne, fatkeqve, bashkë me emrin e autorit, adresën e faqes së internetit nga është printuar dhe me nënshkrimin “© Author and Publisher”. Kësaj i thonë ç’i thonë! E po ta hash turpin e pa-aftësisë më bukë kaq me krenari unë vetëm në universitetin tonë kam parë. “Të çuditshme por të Vërteta” (titull emisioni i televizionit Koha). Aq keq më vjen për ta se mezi mund ta imagjinoni, por në fakt më vjen më shumë keq për veten time. Pyes veten, po përmbajtjen e leksioneve e dinë këta pedagogët tanë, apo jo? Ndoshta nuk kanë edhe aq shumë kohë. Në fakt, duhet t’i justifikojmë pak, mos bëni kështu tani. Ndodh që pjesë e stafit pedagogjik të jetë ndonjë që studion për provimet e magjistraturës e nuk ka kohë ta na përgatisë ne leksionet, apo ndonjë shtëpiake e devotshme që një fëmijë e kap nga dora e djathtë, një nga dora e majtë dhe i treti i hidhet në përqafim. Sa romantike! Kot si ka krijuar Zoti njerëzit me dy duar. Pastaj njerëzit bëjnë edhe punë të dyta; ku u del koha atyre të merren me përgatitjen e leksioneve tona. Unë për vete i justifikoj, ju bëni ç’të doni.

Kush foli aty? Si the? Po ata studentë që shkojnë në shkollë dhe punojnë njëkohësisht, a i tolerojnë pedagogët? Po ore, i tolerojnë, kur kanë kohë të lirë. Por, siç e thamë edhe më lartë, ata nuk kanë edhe aq shumë kohë të lirë. Në fund të fundit, ka ndonjë ligj që ta ligjërojë tolerimin e kësaj kategorie studentësh? Jo! Atëherë, aty të të plasin trutë, në dash të mësojnë, ndash të ngelen në klasë; afroje pak veshin! Në dash edhe të paguajnë. Kjo e fundit është nga zemërgjerësia e tyre, ë; duhet ta vlerësojmë ketë. Ja kështu!

Të lartë-përmendurat janë vetëm dy rastet më tipike të plagjiaturës; ka të tjera sa të duash, derivate të tyre. Të gjithë mund të sjellin ndërmend lloje të tjera, duke ju referuar leksioneve që ata marrin ndër duar dhe raste të tjera të tepërta për t’u përmendur.

Megjithatë, pas këtyre që thamë e dëgjuam, lind nevoja emergjente që ndonjë student i punësuar diku dhe nuk ka shume kohë të mësojë, të darovitë ndonjë pedagog duke e dhënë leksione të të cituari falas. Gjithashtu lind nevoja që çdo pedagog të ketë në mënyra të pashmangshme në raftin e tij/saj një libër; ai titullohet “Si të Shkruajmë një Punë Kërkimore”, botim i Qendrës për Arsimim Demokratik. Aty do të gjejnë një udhëzim të detajuar se si të përgatisin leksionet dhe si të citojnë emrat e atyre nga të cilët do t’u duhet të citojnë. Lind edhe një nevojë tjetër që është, pedagogët duhet të marrin leksione etike, meqë frikë nga ligji nuk kanë (se mos zbatohet ligji dhe nuk patën frikë ata), ku pedagogëve t’u thuhet që nuk janë thjesht papagaj, por janë njerëz që arsimojnë dhe edukojnë një brez shumë të rëndësishme për ardhmërinë e një vendi, që plagjiatura është vjedhje dhe vjedhja është e pamoralshme dhe nuk u shkon për shtat atyre që japin dije të jenë të tillë. Po kështu, duhet t’u mësohet se çfarë është turpi dhe se edhe nga studentët duhet të kenë sadopak turp. Këto nevoja emergjeto-utopike, inshallah, përfundojnë në ndonjë vesh të pa shpuar.

Për t’i vënë kapak muhabetit, kam një fjalë të fundit për studentët. Ose do t’u themi pedagogëve se çfarë na duhet ose ata do të na rrasin çfarë atyre nuk u duhet. Kështu, edhe pse jemi të injoruar dha pa fuqi ligjore, kemi të drejtën e fjalës, shkrimit dhe të vetorganizimit. Po pritëm që gjërat të ndryshohen nga lartë, kot e kemi. Ata lartë ose e dinë se ne jemi të kënaqur me çdo gjë ose nuk duan të ia dinë fare derisa ne do të flemë gjumin e pasivitetit. Po kështu, ai që e ka thënë atë shprehjen e injoruar padrejtësisht dhe gomarisht nga ne “kush kopjon ngalet në klasë” nuk ka qenë i marrë. Ndoshta nuk do të ngelim gjatë katër a pesë viteve shkollim dhe do të arrijmë ta marrim një copë karton në fund, por duhet të jemi të siguritë do të ngalemi në klasë kur të dalim në jetë. Të mos bëhemi naiv e të mashtroheni nga ndonjë rast konkret, që dimë, për njerëz që nuk kanë mësuar në shkollë dhe tani duket se janë mirë. Uroj të mos e keni fatin e tyre. Po të biem në kurthe të tilla analogjike do të thotë se jemi vërtet të varfër intelektualist dhe moralisht. Në fund të fundit, le t’u japim një shembull të mirë pedagogëve tanë kopjacë.

Komentuan

Asnjë

Thuaj nje llaf