Gjuetia Maqedonëse e Fjalëve të Reja

Shkruar nga

Baki Goxhaj

Gjatë udhëtimit tim të parë për në Maqedoni, mblodha disa fjalë të panjohura që i përdornin shqiptarët e Maqedonisë.

Gjatë udhëtim tim të parë në Maqedoni, nuk i rezistova dot tundimit të shkrimit të fjalëve të reja shqipe që do të më dilnin rrugës. Duke qenë se gjatë gjithë kohës isha i shoqëruar nga shqiptarë të Maqedonisë, për asnjë çast nuk e lash ndërgjegjen time gjuhësore të mos ishte në aktivitet të plotë. Kështu që, në një paçavure që kishte marrë ngjyrë të errët në blu nga zhubravitja brenda xhepit tim, shkrova çdo fjalë që nuk e njihja nga ato që dëgjova. Edhe pse janë pak, secila praj tyre ka pas një histori që më jep shumë kënaqësi kur e kujtoj. Më poshtë do të gjeni të radhitura kronologjikisht fjalët e reja bashkë me copëza apo të gjithë historinë që fshihet pas tyre.

Ujë i thartë = ujë i gazuar
Kur fillova t’i shkruaja fjalët e reja isha ulur për të pirë diçka me disa miq të saponjohur shqiptar të Maqedonisë. Kur filluam të porositnim njëri nga të pranishmit, që i kishte vajtur mendja për ujë ta gazuar, porositi ujë të thartë. Tani, kjo nuk mund të shpëtonte pa u vënë re se ishte diçka e padëgjuar dhe të vriste veshin. Në këtë çast, duke i pyetur ata se çne që e emërtonin ashtu ujin e gazuar, kërkova dhe një copë letër, gjë që u gjend shpejt, dhe e mbaja shënim fjalën e parë të re që më doli në shteg.

Origjina: Ngaqë uji i gazuar shpesh shoqërohet me limon, por edhe ka disi shije të thartë vet, ja kanë vendosur emrin ‘ujë i thartë’.

Një tjetër emërtim shqiptar i ujit të gazuar është termi ‘ujë me gjemba’. Këtë e kam dëgjuar fillimisht nga një shok i imi që thotë se kështu e quante ujin e gazuar kur ishte i vogël.

Majmunçe = @
Pasi diskutuam faktin interesant për ta që unë mbaja shënim fjalët e reja, kaluam tek shkëmbimi i adresa të eposave. Kur arritëm tek njëri nga bashkëtovolinësit, ai fillo të më thoshte adresën e vet të postës elektronike dhe shqiptoji diçka të tillë si: ‘emri, majmunçe, hotmail.com’. Kjo më shastisi fare; nuk e prisja diçka të tillë, ishte shumë pikante si fjalë. Megjithatë, duke qeshur, e shkrova edhe këtë me shume zell.

Origjina: Mesa duket, gjithçka ka rrjedhur nga bishti që i vjen rrotull a-se se shenjës së postës elektronike dhe që ngjan me bishtin e gjatë të disa majmunëve që arrijnë ta manipulojnë atë në shumë mënyra duke futur këtu edhe përdredhjes së tij vertikalisht rreth vetes.

Një tjetër emërtim shqip i shenjës së postës elektronike, që e kam hasur në rrjet në një faqe interneti shqip dhe që ne e njohim dhe i quajmë rëndom ‘et’ (nga anglishtja ‘at’) apo ‘kioçola’ (nga italishtja ‘se kam idenë si shkruhet’), është fjala ‘tek’, shumë fine, e shkurtër dhe lehtësisht e përdorshme. Do të më pëlqente që kjo fjalë të behej standardi shqip i shenjës së epostës.

Limenkë = Kënaçe
Gjatë vazhdimit të bisedës tonë, një tjetër fjalë më doli në shteg. Nuk e mbaj mend se ç’situatë e nxori në mejdan, por di që e shkrova në paçavuren time të fjalëve të reja pa shumë naze.

Origjina: Ka të ngjarë që kjo fjalë të ketë pësuar një evoluim prej fjalës ‘aluminkë’, një gjetje kjo për të përshkruar një ene prej alumini të mbushur me një lëng çfarëdo. Pastaj nga goja në gojë të ketë pësuar ngrënien e ‘a’-së fillestare për tu bërë ‘luminkë’ dhe më pas shndërrimin e dy zanoreve në dy zanore të tjera për lehtësi shqiptimi. Një version tjetër i origjinës mund të ishte dhe rrjedha e fjalës prej fjalës ‘limonadë’, dikur e përdorur në masë (të paktën në Shqipëri) ena mbajtëse e së cilës është quajtur ‘limonkë’ e shndërruar më pas në ‘limenkë’.

Këmbimore = Exchange
Me këtë fjalë u përballa pasi isha çuar nga tavolina dhe po bënim një shëtitje në Shkup, ku njëri nga miqtë tanë të rinj po na bënte udhërrëfyesin, Me siguri e kam parë në ndonjë reklamë dyqani, por i rëndësishëm është fakti që e shkrova menjëherë sepse mu duk një zëvendësuese ideale e barbarizmit ‘exchange’, e përdorur për të përshkruar një vend ku këmbehen para të vendeve të ndryshme.

Origjina: Shume e thjeshtë; fjala ‘këmbim’ plus prapashtesa ‘ore’ japin neologjizmin ‘këmbimore’.

Sok = lëng frutash
Kjo fjalë më duket se u shfaq kur po bënim porosinë kur u ulëm për të ngrënë në mbrëmje. Pasi nuk e kuptova pyeta se ç’ishte kjo fjalë dhe pas ca shpjegimesh të belbëta kuptova që bëhej fjalë për lëngun e frutave, që ne shpesh i themi ‘suko’ edhe pse kjo fjalë është ngushtuar për të përshkruar vetëm një lloj lëngu frutash në Shqipëri.

Origjina: Pak e vështire duket sepse mund të ketë ndonjë komplikim sllav. Megjithatë, ka gjasa të jetë nga italishtja e fjala ‘sugo’, që është përshtatur më pas në ‘suko’ dhe më pas në ‘suk’ për të përfunduar në ‘sok’.

Palloma, sollftka – peceta
Këto më dolën para kur po hanim dhe na doli nevoja të kishin ndonjë gjë për të fshirë, kështu që kërkuam peceta. Pas ca përpëlitjesh për të kuptuar njëri tjetrin, e kuptuam më në fund se kërkonim ‘palloma’ apo ‘sollftka’.

Origjina: Me origjinën këtu nuk po merrem fare se nuk kam asnjë ide. Ne pamje të parë duken fjalë me origjinë sllave, por …

Çaçkalica – kunja, kruajtëse dhëmbësh
E sigurisht që pasi mbaruam së ngrëni, kisha nevojë për kruajtëse dhëmbësh. Kërkova, por nuk e morën vesh dhe prapë mu desh të shpjegohesha me shume fjalë. U morëm vesh më në fund dhe fjala në fjalë përfundojë në arsenalin tim të fjalëve të reja.

Origjina: As këtu nuk merret vesh, por duket si sllave.

Penkall, kizhik – stilolaps
Kur mu desh të shkruaja fjalët e reja ta sapodëgjuara, sigurisht që kërkova një stilolaps, duke qenë se timin nuk e di nga e kisha hedhur, dhe si përfundim mu dha një penkall ose një kizhik. Kështu quhej stilolapsi andej; nuk e prisja në fakt që stilolapsi të mos njihej në të gjitha trojet shqiptare më të njëjtin term, por ja që nuk ishte e thënë.

Origjina: Penkalli, me sa duket, vjen nga anglishtja ‘pencil’ që është transformuar fonologjikisht në penkall. Kuzhiku, po fonologjikisht, duket term sllav.

Mastikë – çamçakëz
Kur muhabeti ra tek çamçakëzi, mësova që andej quhej ‘mastikë’. Seç me kapi dhe i hodha nje sy Fjalorit të Shqipes së Sotme të vitit 1980. Fjala, që i bie të mos jetë aspak fjalë e re, gjendje në fjalor dhe, si për të më ngushëlluar për faktin që nuk e njihja, shoqërohej me termin ‘krahin.’ shkurtim i ‘krahinore’, që do të thotë që ka përdorim krahinor dhe nuk është e thënë që të përdorej edhe andej nga anët tona dhe ta dija edhe unë.

Një term tjetër për të emërtuar çamçakëzin është dhe fjala ‘sakëz’. Kjo, mu tha, që është fjalë e përdorur në Kosovë, dhe që pasuron fjalorin e shqipes më një sinonim tjetër të fjalës në fjalë.

Shpuzore = tavllë
Në muhabet e sipër mora vesh gjithashtu që tavlla e duhani paskej dhe një emërtim tjetër dhe që andej njihej si ‘shpuzore’, term ky që gjendet i skeduar në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1980, por që personalisht nuk e kisha hasur ndonjë herë. Po ashtu, gjatë të njëjtit muhabet mora vesh gjithashtu që ‘tavlla’ ose ‘shpuzorja’ njihej gjithashtu edhe si ‘taketuke’, term që u tha se përdorej kryesisht nga krahina e Shkodrës. Edhe në këtë rast, kemi të bëjmë në një sinonimi të pasur të shqipes.

Mahicë – bluze me mëngë të shkurtra
Fjala e fundit që më bëri përshtypje dhe që përshtypja më bëri që ta shkruaja është pikërisht fjala ‘mahicë’, që më thanë se kështu i thoshin bluzave më mëngë të shkurtra apo që ne na pëlqen tu themi pak ‘T-shirt’ për tu dukur që jemi pak ‘të jashtëm’ apo që dimë anglisht. Nga ana fonetike, duket se ka origjinë sllave dhe nuk mund të vazhdoj më tej.

Largësia dhe gjitonitë e ndryshme kanë bërë të vetën, duke bërë që krahina të ndryshme ta shënjojnë të njëjtin objekt apo koncept me terma të ndryshëm. Mbledhja dhe skedimi i këtyre fjalëve të disa krahinave, ‘të reja’ për disa të tjera, do ta pasuronte automatikisht shqipen, do ta zhdërvjelltësonte të folurën e shqipfolësit dhe, pse jo, do t’i bënte ata të merreshin vesh më mirë mes veti. E kam fjalën gjithmonë për neologjizma burimore të shqipesh e jo për barbarizma të panevojshme nga gjuhë fqinje, duke qenë se këto te fundit nuk janë të pakta, edhe pse më sipër kam radhitur çdo fjalë që mu shfaq e panjohur, duke qenë se nuk e pash të udhës të mbaja shënime selektive nga frika se do të paragjykoja ndonjë fjalë. Dera e pasurimit të shqipes nuk është mbyllur, por pakkush po hyn asaj dere.

Komentuan

4 Vetë

Thuaj nje llaf