Vëlla, është e zënë

Shkruar nga

Baki Goxhaj

Disa moment të vështira nga koha kur edhe studjoja edhe punoja dhe shkruaja ...

Ndodh që të kap ndonjëherë dhe të duhet të shkosh në banjë. Mua më kap shpesh kur jam në punë. Me këtë rast më duhet të zbres deri në kat të parë të qendrës tregtare ku punoj dhe të mbaroj punë. Këtu mund të mbaronte gjithçka, por në fakt, këtu fillojnë gjithë peripecitë që duhet të heqësh derisa të mbarosh atë të shkretë punë.

Peripecia e parë është fakti që jam mpirë para kompjuterit, sytë ndoshta janë bërë si kokoloçkë[1] lisi, flokët sigurisht që janë përpushur dhe cisterna është mbushur plot nga pritja e gjatë. Ngrihem, shpihem pak, shtriqem, përplas lehtë këmbët në kokë, rregulloj pak rrobat që mund të më jenë shtrembëruar dhe rrudhosur nga të ndenjurit ulur në karrigen rrotulluese dhe marsh, nisem.

Peripecia e dytë është rruga; me duhet të kaloj, prit t’i numëroj, mmm, po, plot gjashtë dyqane, shumica dyqane rrobash firmato brenda të cilëve qëndrojnë sipas rastit një, dy ose dhe më shumë, (pa përmendur këtu kur bëhen të gjitha bashkë në një dyqan dhe e bëjnë ylyver) shitëse veshur me rroba nga të dyqanit ku shesin vetë, që rastin të jenë dekolte me xhinse ose golf me streçe apo ndonjë lloj kombinimi tjetër ndjellës, që të ngulin sytë dhe, ç’t’iu them, të bëjnë të shkosh në banjë, unë në fakt për aty jam nisur. Megjithatë e mbaj, ose përpiqem ta mbaj kokën drejt dhe sytë të përqendruar në rrugën time, se ne fund të fundit unë jam nisur për punë tjetër, kurse ato aty janë, vetëm rrobat ndryshojnë. Nëse është mendjes i gjen duke larë dyshemenë apo xhamat, ku ne rastet përkatës u del ne mejdan ose kurrizi kockanjar ose barku dhjamor dhe prapë shitëset përkatëse përpiqen ta mbulojnë duke zgjat poshtë bluzën a çdo gjë tjetër që kanë veshur dhe vazhdojnë punën ashtu siç vazhdon dhe bluza te shkojë prapë në vend dukë shpërfillur përfilljen e shitësve për ta mbuluar trupin e tyre se u vjen turp nga kalimtarët. Megjithatë e kaloj dhe këtë dhe e gjej veten para derës së banjës së qendrës tregtare.

Peripecia e tretë; eh e treta e vërteta, është më kryesorja. Këto do ma bëni hallall po vjen pak erë kjo pjesë. Megjithatë futem brenda. Përvoja në këtë pjesë është shumë dinamike. Përballë derës hyrëse është banja a grave, për të cilën pastrueset ankohen gjithmonë se nuk e mbajnë pastër, gjë që më çudit, sigurisht, të cilës as që begenis t’ia hedh sytë për shkak se sado që të ketë femra brenda ajo banjë mbetet prapë. Marr kthesën dhe devijoj për në banjën e burrave. Kaloj sigurisht para lavamanëve të te larjes së duarve, të cilët, edhe pse janë aty, nuk i përdorin të gjithë, por ka dhe nga ata që i keqpërdorin. Aty nëpër këmbë janë pastrueset e mjera; ato janë më fatkeqet aty. Harbutëria me to është e dyfishtë si në numër dhe në masë. Nga njëra anë menaxheri i qendrës, një mesoburrë, ish-ushtarak, zdap i gjatë, nurzi fillon dhe u bërtet të shkretave pastruese herë pas here përveç faktit që u pret rrogën për ndonjë gjë të vogël që aty kanë neglizhuar. Mendoj me vete, ç’lloj fëmijësh kanë rritur këto që i lënë prindërit, e sidomos mamatë, që të punojnë pastruese, ku fatkeqësisht duhet të pastrojnë dhe banjat. Por kjo nuk është e gjitha, pjesa tjetër është më e pa imagjinueshmja. Rastis që ka njerëz që përdorin ca bide të vogla jashtë banjave që përdoren për shpejtësi dhe të arrijnë deri tek mesi. Ja se ç’ndodhi një ditë. Njëra nga pastrueset ishte aty, po pastronte sigurisht, dhe një djalë mbiadoleshent erdhe, u fut në pjesën e qarjes së halleve dhe pa teklif filloj të zbërthehej në sy të pastrues me qëllim që të përdorte bidenë e shpejte. Pastruesja me shumë mirësjellje i tha të futej brenda se ajo ishte aty. Kur djali trim vlonjat i kthe se nuk donte të futej brenda duke e përcjellë këtë me zë të lartë dhe me ton nënçmues, dhe vazhdoi me tej. Pastruesja e përsëriti kërkesën duke i thënë që ajo ishte në moshë me mamanë e tij, por ai si duket nuk e kuptojë aq ajo kërkonte nga djali që ti jepte pak nga respekti që meritonte në të vërtetë. Djali sigurisht që nuk u fut brenda dhe prapë ja ktheu me tonin e mësipërm dhe i tha fjalë që mua tani nuk me kujtohen, por me kujtohet shumë mirë ndjenja e turpit që më kaploi që asistoja në një situatë të tillë dhe ndjenja e inatit që më pushtoi. Për mua shoh që pastrueset kanë respekt të veçantë. Ndodh që janë duke pastruar dhe nuk lejojnë njëri të futet aty, por kur unë shkoj më lejojnë edhe pse unë shpesh nuk futem për të mos i bezdisur. Kjo më lumturon sepse dua me të vërtetë nga njerëzit e paktë që u ofrojnë pak përkujdesje dhe afeksion pastruesve të shkreta. Megjithatë, pasi kaloj dhe pjesën e pastrueseve, kaloj tek pjesa e hallit. Tani, aty tek pjesa e hallit janë gjithsej katër banja. Imja është e para, e preferuara ime. Kjo është me e gjerë se te tjerat, me e pastër se te tjerat, dhe të ofron mundësi pastrimi pas hallit me shume se të tjerat sepse ka ujë. Kjo ka vetëm një problem të vogël, nuk mbyllet mire nga brenda. Kjo do të thotë që mekanizmi i mbylljes herë punon e herë jo dhe qe, nëse ndonjë do të shohë se a ka njerëz brenda apo jo duke provuar derën e është e mbyllur apo jo, rastësisht mund ta hapë derën të të ‘kapë në flagrancë’. Kjo është dhe pjesa me e sikletshme dhe peripecia më e madhe që më duhet të heq. Më ka ndodhur disa herë në fakt, kur isha i ri në punë dhe ndihesha e lumtur që isha mashkull dhe ata mund të më shikonin vetëm nga kurrizi ku unë isha i veshur se po të isha femër kushedi sa do kisha nxjerrë në fotografi. Një zgjidhje e mundshme ishte që ti vije një këmbë derës dhe një ta mbaje në tokë, domethënë pshurrje qeni, por nuk e bërë ndonjëherë se i gjeta hilen derës dhe e mbyllja mire nga brenda në mënyre që të mos e hapnin dot provaxhinjte. Kështu e zgjidha dhe ketë punë. Por zgjidhja e mësipërme nuk do të thotë që u zgjidh çdo gjë tjetër që kishte të bënte me vendin e hallit. Më ndodh njëherë në kaq kohë që të futëm aty esëll e të dalë i dehur, jo me alkool sigurisht. Hyj, shoh, nuk shoh asgjë në fakt, ose aspak. Aty është bërë tym vetëm, sistemi ajrosjes nuk është se punon dhe aq, por unë jam i detyruar të hyj brenda. Tymi aty na rastis të jetë tym hashashi. Lere pastaj kur përzihet dhe me një dozë ere nga ajo që gjendet aty, më mirë të mos vazhdoj, e di. Fakti që më gëzon është që nuk e shijoj tymin, përndryshe dhe hashashi më duhej. Nuk është se dal duke fishkëllyer nga aty apo duke mu marrë këmbët, por e pakta është me sy të kuq dhe më dhimbje koke, intensiteti i të cilave varet nga periudha e kohës që kaloj brenda duke zgjidhur hallin tim. Edhe pse kjo peripeci ndodh rrallë, më bën që ta mbaj mend gjatë. Pastaj dal dhe sigurisht që shkoj direkt tek lavamani, i fus një ta larë mirë e mirë, po që nevoja i hedh dhe surratit ndonjë grusht ujë, sidomos po të ketë rastisura dita e hashashit apo ta ketë ndotur mjedisin rendë ndonjë para meje, është e domosdoshme në të tilla raste. Pastaj ul pak qimet që mund të me jenë ngritur përpjetë nga puna apo nga zori me duart e lagura dhe dal, i qeshur sigurisht, nuk ka si të jetë ndryshe. Për të marrë vesh se si shkon rruga e kthimet ktheni mbrapsht rrugën e ardhjes dhe merreni vet me mend se e zgjatëm shumë këtë muhabet. Ky është fundi i peripecive.


[1] Kokërr e rrumbullakët që lidh druri i lisit me diametër 3-5 centimetra dhe me gunga.

Komentuan

Asnjë

Etiketuar si:

Përsiatje,

Thuaj nje llaf