Fenomeni i Lypsarisë në Tiranë

Shkruar nga

Baki Goxhaj

Lypsarët janë shumë të dhimbshëm kur i shikon; po aq e dhimbshme është kur lypsaria është profesion

Kur për herë të parë apo të fundit shkon në Tiranë, me siguri nuk të ikën pa e vënë re mjerimi e trotuareve të saj të shtruar bukur apo të copëzuar si dhëmbët e prishur të një 80-vjeçari që nuk ka qenë asnjëherë tek dentisti. E shikon viktimën e parë të varfërisë porsa të shkel këmba në sheshet e përbaltura të kryeqytetit. E sa më shumë futesh në të, aq më shumë viktima shikon, aq më shumë të rrëngjethet mishi, aq më shumë të vjen për të qarë dhe, ndonjëherë, aq shumë të ngrihen nervat sa se ke idenë. Panorama është e dhimbshme. Ecën në punën tënde. Papritur të nxjerr nga tymnaja e mendimeve pamja lemeritëse e lypses pa këmbë, plakë dhe të rrudhosur, me një buzëqeshje prej lypseje në fytyrë, dhe dora që zgjatet, dhe buzët që lëvizin, por që nuk dihet se çfarë duan të thonë sepse nuk të lënë ta dëgjosh makinat që kalojë zhurmshëm aty pranë, apo zëri i lypses plakë është shumë i mekur. Ti e kupton direkt që po kërkon ti falësh diçka. Ti nxiton më shumë se nuk duron dot pamjen edhe pse do t’i japësh diç plakës së gjorë.

I zhytur në mendime nga pamja tronditëse, duke ecur pengueshëm nëpër njerëz që ecin të shkujdesur dhe nëpër pllaka trotuari një po, një jo, një ndoshta, gati sa nuk shkel dy fëmijë romë që janë shtrirë në mes të trotuarit mbi ca kartonë ambalazhesh, që flenë a bëjnë sikur flenë, me ca monedha të verdha aty pranë, të veshur me rroba shumë të pista dhe që nuk dihet a janë të braktisur apo janë të detyruar të jenë aty dhe të luajnë atë rol apo gjithë kjo është ajo që atyre u është mësuar se është mënyra më e mirë për tu bërë i pasur. Bën të kalosh një gëllënkë pështyme por dhe ajo nuk do të kalojë poshtë.

Me imazhin e fëmijëve në sy dhe me përpjekjen për të zgjeruar pak kraharorin me frymëmarrje të thella për të cilat e di që do bëhesh pishman kur të përfundosh në spital i sëmurë nga mushkëritë, të qëllon të kalosh para xhamisë simbol Et’hem Beu ku ka zënë vendin e saj një tjetër lypse, mesogrua, e shëndosh, pa gjysmën e këmbës deri në gju dhe me gjurin e prerë të ekspozuar, më një zdap që i rri pak pranë pak larg dhe shkëmbejnë fjalë bashkë herë pas herë, të vjen plasja kur e shikon lypsen që pi një cigare tërë dëngla dhe ti mendon: “Po kjo, cigare i bën lekët e njerzve?” dhe të vjen t’i marrësh cigaren dhe t’i fikësh në ballë, por të mban frika se mos bërtet dhe thotë “Hajduti, më vodhi lekët!!!”.

Mes këtyre pamjeve fillon e bije nata. Atje tej të zë syri një plak që ka vendosur t’i bëjë ballë të ftohtit, ka mbledhur disa kartonë dhe u ka vënë flakën dhe i ka vënë flakës duart që dridhen lartë apo anash. I tërhequr në një ana të trotuarit, ku ka menduar se nuk e zë era apo e zë më pak, bën sikur ngrohet në flakët e zbehta të kartonëve, nuk dihet se çfarë i kalon në kokë. Ndoshta mendon për fëmijët. Ndoshta e ka marrë malli për nipërit dhe mbesat. Ndoshta thjeshtë thotë me vete “Sa ftohtë qenka sonte!”. Kush e di!

Kështu që ti do të ikësh sa më shpejtë të jetë e mundur dhe i lutesh Zotit të mos jetë kjo gjëja e vetme që do të të kujtohet nga kryeqyteti.

Komentuan

2 Vetë

Thuaj nje llaf