Fjalori i QEP-it, që në Kohën e Qepës

Puna që po bën QEP-i (Qendra për Edukim dhe Përparim) në Kosovë është një iniciative e shkëlqyer për përditësimin e ecjen me kohën të gjuhës shqipe. Realisht i përgëzoj për këtë. Prej punëve të tyre më frytdhënëse mund të përmendim Kontrolluesin Drejtshkrimorë të Gjuhës Shqipe dhe Fjalorin Elektronik Shpjegues. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të kenë mangësi në punën e tyre. Dhe një mangësia që vihet re dhe që mund të korrigjohet lehtë është fakti se fjalori i tyre shpjegues është elektronizuar, por nuk është azhurnuar pothuajse fare, duke bërë kështu që të jetë i mbushur kapicë me komunizma dhe shpjegime propaganduese të ideologjisë marksiste-leniniste. Kjo lejon këdo që të thotë se fjalori i QEP-it është që në kohën e qepës. Më poshtë paraqiten dy shembuj tipikë të kësaj mangësie të ilustruar me shembuj përkatës nga fjalori në fjalë dhe të pasuruar me disa sugjerime.Një nga fjalët tipike dhe prej nga burojnë të gjitha derivatet e tjera komuniste-ateiste- marksiste-leniniste është fjala “komunizëm”. Ja se si shpjegohet në fjalorin në fjalë kjo fjalë. Vini re që trashëzimi i fjalëve tek shpjegimi është shtuar për theksim.

KOMUNIZËM m.
1. Rendi ekonomiko-shoqëror më i lartë, që vjen pas kapitalizmit, pas fitores së revolucionit proletar dhe vendosjes së diktaturës së proletariatit, ku sundon plotësisht prona e përbashkët mbi mjetet e prodhimit dhe ku është zhdukur shfrytëzimi i njeriut prej njeriut dhe shtypja kombëtare; faza e dytë, faza më e lartë e këtij rendi (pas ndërtimit të plotë të socializmit), ku nuk ka më klasa e ku …

Vëreni terminologjinë dhe mbiemrat e përdorur për përshkrimin e kësaj fjale; a është ky shpjegim i duhuri për fjalën “komunizëm” sot? Në fakt, ky është thjesht propagandimi komunist, me të cilin u mashtruan njerëzit shekullin e kaluar dhe që duhet të kërkosh gjatë për të gjetur ndonjë leshko që i ha broçkulla të tilla, sidomos tani që “frytet” e komunizmit janë vjelë dhe shijuar. A nuk mendoni se duhet të niste menjëherë puna për pastrimin e fjalorit nga shpjegime të tilla që të bëjnë për të vjellë?

Më poshtë paraqitet një sugjerim i marrë nga fjalori konciz i Oksfordit “The Concise Oxford Dictionary” botimi i nëntë, elektronik edhe ky, i cili e përkufizon fjalën “komunizëm” kështu:

communism n.
1 a political theory advocating a society in which all property is publicly owned and each person is paid and works according to his or her needs and abilities.
2 (usu. Communism) a the communistic form of society established in the former USSR and elsewhere. b any movement or political doctrine advocating communism, esp. Marxism.

E thënë në shqip:

komunizëm n.
1 një teori politike që përkrah idenë e një shoqërie ku të gjitha pronat janë të përbashkëta dhe njeriu paguhet dhe punon në varësi të nevojave dhe aftësive të tij apo saj.
2 a modeli komunist i shoqërisë i themeluar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe gjetkë. b çdo lëvizje apo doktrinë politike që përkrah komunizmin, sidomos Marksizmin.

Dallimi nuk ka nevojë për shumë komente. Duket drejtpeshimi dhe paanshmëria e shpjegimit. Ky është një shembull i rëndom që duhet ndjekur pa hezitim para se të na tregojnë më gisht si homo communistus nëpër botë.

Një shembull tjetër është në fushën e fesë ku Shqipëria arriti atë që nuk e arriti asnjë shtet tjetër në botë, të shpallej shtet ateist, domethënë pa fe zyrtare. Kur e kam hasur këtë gjë në enciklopedinë Enkarata jam habitur; jo për faktin qe ishim shpallur të tillë, por për faktin që ishim shteti i vetëm në botë i tillë. Kjo tani është diçka që i përket të shkuarës, por problemi qëndron se vazhdon të pasqyrohet në fjalorin e QEP-it. Ja çfarë thuhet:

FE f. sh. “Besimi i verbër se gjithçka në botë përcaktohet e drejtohet gjoja nga forca të mbinatyrshme, hyjnore, i cili ka lindur qysh në kohë shumë të hershme dhe është i papajtueshëm me botëkuptimin shkencor, materialist; tërësi dogmash që japin një botëkuptim fund e krye idealist e reaksionar, i cili është armik i betuar i përparimit e i shkencës, dhe përdoret nga klasat sunduese për të mashtruar e për të nënshtruar masat punonjëse; besimi te zoti. – Feja e krishterë (ortodokse, katolike, myslimane). Origjina (përhapja) e fesë. Lufta kundër fesë. Ndërroi fenë. Mohoj (luftoj) fenë. Feja është opium për popullin.

Ja bën mu propaganda komunisto-materialiste. Hidhuni një sy termave të përdorur; kryekëput luftë antifetare. Këtu bëhet fjalë për luftën e bërë gjatë regjimit komunist në Shqipëri e jo tani, në kohën ë pluralizmit politik e fetar. Kjo duket edhe tek fakti që feja përshkruhet si “i papajtueshëm me botëkuptimin shkencor, materialist”. Vëreni shembujt; rast ideal i propagandës së hollë kudër fesë dhe çdo gjëje që ishte kundër ideologjisë komuniste. Dhe gjithçka është mbyllur me thënie e famshme të Marksit “Feja është opium për popullin.”. A nuk mendoni se jemi pak të vonuar me azhurnimin e fjalorit tonë?

Ja një shembull për tu pasur parasysh e për tu pasuar. Sipas fjalorit të sipërpërmendur “The Concise Oxford Dictionary” thuhet:

religion n.
1 the belief in a superhuman controlling power, esp. in a personal God or gods entitled to obedience and worship.
2 the expression of this in worship.
3 a particular system of faith and worship.
4 life under monastic vows (the way of religion).
5 a thing that one is devoted to (football is their religion).

E përkthyer në shqip do të ishte:

fe e.
1 besimi tek një fuqi kontrolluese e mbinatyrshme, veçanërisht në një Perëndi të vetëm apo shumë perëndi që duhet tu bindesh dhe t’i adhurosh.
2 shprehja e kësaj në adhurim.
3 një sistem i veçantë besimi dhe adhurimi.
4 jeta nën zotimet e murgërisë (rruga e fesë).
5 diçka pas të cilës dikush ishte i përkushtuar (futbolli është feja e tyre).

Sigurisht kuptimet e fjalës “fe” në shqip nuk përkojnë të gjitha me kuptimet e saj në anglisht, por ajo që dua të demonstroj është fakti që, edhe pse ka më shume kuptime, nuk gjen mes tyre lufte ideologjike, paragjykime, propagandë komuniste, materialiste dhe ateiste. Kjo metodë të shpjeguari duhet të huazohet pa humbur kohë në fjalorët tanë, si ata elektronikë edhe ata me fletë letre.

Për të gjithë kureshtarët, që duan të konsultohen vetë më fjalorin në fjalë, i këshilloj të kërkojnë zëra të tri kategorive të mëposhtme ndërsa unë po ju ofroj disa prej tyre, duke qenë se i kam konfirmuar personalisht që duhen përditësuar:

Ideologji: komunizëm, demokraci, proletariat, borgjezi, kapitalizëm etj.
Fe: fe, zot, perëndi, Allah, misticizëm, magji etj.
Fenomene shoqërore: prostitucion, bankë etj.

Kështu pra, nuk na mbetet tjetër veç se të shpresojmë që kompetentët e kësaj meseleje tu arrijë kjo thirrje dhe t’ia nisin punës sa më parë për pastrimin e fjalorit nga këto lloj shpjegimesh, duke i dhënë kështu shqipes frymën bashkëkohore që i takon.

3 Comments

  1. Ceshtja eshte: a e ka QEP autoritetin per te bere keto ndryshime apo perditesime? Une mendoj se jo.
    QEP ka bere maksimumin qe i lejohej te bente: ka hedhur ne version elektronik fjalorin e vetem te gjuhes shqipe qe ne kemi, i cili pa dyshim eshte i paplote e ka shume nevoje per azhurnime por, me gjithe deshiren e mire, s’mund ta bejme ne kete… dhe as QEP.

    Ka kohe qe ka ardhur koha per nje kongres te gjuhes shqipe, them une 🙂

    Po mbase e kam gabim… Nuk e di me saktesi si funksionojne hierarkite ne kete fushe.

    1. Në mos pastë autoritetin për ta përmirësuar fjalorin e vitit 1980 që ata po përdorin, mund të marrin shembull nga fjalotër e botuar më pas në Shqipër. Kemi dy fjalorë të përmirësuar: një të vitit 2002 dhe një të vitit 2006 nëse s’gaboj. Për mendimin tim, të paraqesësh një fjalor të mbushur me kësi soj përkfuizmesh, pa e marrë mundimin ta përmirsosh, është sharlatanizëm i skajshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *