Njohja e Kulturës së Gjuhës së Interpretimit

Hyrje
Ekzistojnë dy faktorë që ndikojnë në cilësinë e produktit përfundimtar të një përkthimi apo interpretimi. Këta dy faktorë janë konteksti dhe situata. Ndërkohë që konteksti është gjuhësorë situata është jashtë gjuhësore.1 Konteksti ka të bëjë më kuptimin leksikor dhe gramatikor të vetë fjalëve të një fraze, fjalie, paragrafi apo teksti kurse situata ka të bëjë me vendin, kohën dhe njerëzit që e sendërtojnë këtë kontekst. Sa herë që flasim për një vend, kohë dhe popullsi të caktuar sigurisht që kemi parasysh karakteristika dhe veçori që dallojnë nga të tjerat. Këto karakteristika dhe veçori të një vendi që popullohet nga një popullsi e caktuar përbëjnë vetë kulturën e atij vendi dhe e asaj popullsie në një periudhë historike të caktuar.

Duke pasur parasysh dy faktorët e sipërpërmendur, nuk mund të pretendojmë të jemi përkthyes të mirë të një gjuhe edhe pse mund të jemi ekspertë të asaj gjuhe, kur na mungon njohja deri në një farë mase e kulturës së saj. Studiuesja e përkthimit C. Thriveni2 thotë:

“Njohja e një gjuhë të huaj, e fjalorit dhe gramatikës së saj, nuk mjafton të jesh përkthyes kompetent. Duhet të jesh i ambientuar me kulturën tënde dhe me kulturën e gjuhës nga e cila përkthen përpara se të bësh ndonjë përpjekje për të ndërtuar një urë midis tyre.”3

Mungesa e njohjes së kulturës së gjuhës nga e cila normalisht përkthen, mund të sjellë pështjellime gjatë një interpretimi, që nga riformulimi i gabuar i një mendimi, që nga keqkuptimet dhe drejtpërsëdrejti keqinterpretimet, e deri tek krijimi i situatave qesharake dhe idioteske. Kjo bën të patjetërsueshme nevojën për të njohur mirë kulturën e një gjuhë në mënyrë që të përkthesh apo, në rastin tonë, të interpretosh mirë prej saj.

Disavantazhet e Interpretimit kundrejt Përkthimit
Edhe pse problemi kulturor është i përbashkët si për përkthimin ashtu dhe për interpretimin, përkthimi më shkrim ka disa avantazhe nga të cilat interpretimi është i privuar:

Avantazhi i parë që përkthimi ka kundrejt interpretimit është koha. Në përkthim mund t’i lejosh vetes gabime, qofshin dhe absurde sepse gjithçka mund ta riparosh duke iu rikthyer versionit tënd të përkthyer për një redaktim, gjë që do të fshinte nga faqja e letrës një pjesë të mirë të gabimeve dhe keqpërkthimeve të tekstit, për të mos thënë të gjitha. Interpretimi është i privuar nga faktori kohë dhe interpreti është i dënuar të jetë i saktë dhe i pagabueshëm në atë që nxjerr nga goja, përndryshe pasojat imagjinohen lehtë.

Avantazhi i dytë që përkthyesit kane kundrejt interpretëve është fakti që përkthyesi mund të bëjë sqarime kontestuale dhe kulturore në fund të faqes më anë të një fundshënimi apo në kllapa, disi më rrallë. Interpreti është i larë me këtë avantazh, asnjë interpret nuk mund të guxojë të japë një shpjegim gojor midis kllapash(!).

Të dyja këto disavantazhe na çojnë në përfundimin që interpretimi është shkalla me e lartë e artit të përkthimit dhe që kultura, e ndihmuar nga faktori kohë, është një faktor vendimtar në suksesin ose jo të një përkthyesi si interpret. Më poshtë do të përpiqemi të sqarojmë disa raste kur kultura dhe masa e njohjes së saj janë faktor që fshati të duket qartë e të mos këtë nevojë për kallauz.

Idiomat
Ne ndajmë kollaj mes faktit që fjalët si ujë, det dhe tokë janë universale kurse shprehje si “(ai/ajo) e pi duhanin me vrimë të hundës” dhe “bëj dava me miza” janë kulturore. Kjo do të thotë që në aspektin kulturor idiomat ose shprehjet frazeologjike përbëjnë një nga problemet kyçe në fushën e interpretimit. Kjo është akoma më e theksuar kur bëhet fjalë për idioma me bazë të fortë kulturore, bashkësia e fjalëve përbërëse të së cilave nuk e nxjerr aspak kuptimin e saj të vërtetë. Këto mund të jenë rëndom burim i madh improvizimesh qesharake të sikletshme. Si pjesë e pandarë e kulturës së një vendi, idiomave duhet tu kushtohet vëmendje e veçantë nga çdo interpret për mbarëvajtjen dhe cilësinë e interpretimit të tij/saj.

Dialektet
Fatmirësisht, puna e një interpreti është e përqendruar përgjithësisht në përdorimin e regjistrit zyrtar, duke qenë se ata që më së shumti kanë nevojë për komunikim ndërgjuhësorë janë njerëz më ngritje intelektuale dhe postë zyrtare. Po nuk është e prerë më thikë që internetit nuk i rastis të interpretojë dhe për komunitete të ndryshme, nga të cilët më i vështiri mbetet ai që përdor më shumë dialektizma dhe krahinorizma. Dialektet janë një çështje problematike edhe për gjuhen parësore të një interpreti, jo më pastaj për të folur për dialektet e një gjuhe të dytë.

Gjuhëtarë shqiptar me standardizimin e gjuhës shqipe dhe me hartimin e fjalorit të saj, kanë qenë gjithmonë të vetëdijshëm të përfshijnë në strukturat e saj elemente dialektore si p.sh.: degjues –> degjue + s, domethënë me baze dialektore gegërishte ‘degjue’, apo moslënien jashtë fjalorit të gjuhës sonë dialektizma apo krahinorizma. Me këtë dua të them që një pjesë të punës e kanë bërë gjuhëtarët tanë, pjesa tjetër u mbetët interpretëve në kurriz. Kjo nuk është shumë e vështirë për tu realizuar, duke qenë se një interpret, që sigurisht karakterizohet nga përvetësimi i shpejtë i fjalorit të ri, mund ta shtojë cilësisht dhe sasiorisht fjalorin e tij dialektor më udhëtime të nëpër krahina të ndryshme. Kjo do të ishte ideale të bëhej edhe në vendet e gjuhëve nga të cilat interpreti interpreton, por kjo besoj se do të jetë më e realizueshme kur të hyjmë në BE.

Vdiq apo Ngordhi
Ekzistojnë disa mospërputhje kontekstuale midis gjuhëve të cilat mund të jenë burim gabimesh trashanikë sidomos për shkak të faktorit kohë (nxitimit) dhe që interpreti duhet t’i ketë shumë parasysh. Kemi të bëjmë me raste kur i njëjti veprim, proces, koncept apo objekt të ketë emërtime të ndryshme në një gjuhë dhe vetëm një emërtim në një gjuhë tjetër. Për ilustrim, kur një anglishtfolës, ligjëratën e të cilit duhet të përcjellim në shqip, thotë ‘my dog died’, interpreti assesi nuk mund ta përkthejë ‘qeni im vdiq’; sigurisht që do shkaktonte të qeshura tek dëgjuesit, por duhet ta përkthejë ‘qeni im ngrodhi’.

Po ashtu nëse duhet të interpretohet fraza ‘from A to Z’, duhet pa tjetër të sjellet në shqip në formën ‘nga A-ja tek Zh-ja’, duke qenë se shkronja e fundit e alfabetit tonë është Zh-ja e jo Z-ja. E njëjta anasjelltas. Përndryshe do të kishin të bënim në një mospërputhje kulturore që do të na bënte të na vinte keq për interpretin në fjalë.

Përfundime
Gjithë çka thamë, nuk mund të na çoje gjëkundi tjetër veçse në përfundimin që gjuha dhe kultura janë koncepte që vijnë si binjakë siamezë përballë përkthyesit dhe ndarja mes të dyjave do të cenonte mbarëvajtjen e punës së përkthyesit në përgjithësi dhe interpetit në veçanti; nuk do të na ofrohej asgjë tjetër veçse një ligjërim të çalë dhe një gjuhë të belbët, për të mos thënë memece. Bashkëjetesa e lumtur e gjuhës me kulturën tek një interpret do të sillte automatikisht një përçim konceptual dhe stilisktik të qartë dhe të bukur.

1) Pro Transaltore – Shtjellime Kritike për Përkthyesin dhe Përkthimin, Edmond Tupja, Ombra GVG, Tiranë 2003.
2) C. Thriveni është Magjistrate e Shkencës në Fizikë dhe Magjistrate e Filozofisë në Përkthim. Ajo punon si lektore dhe realizon punë kërkimore ne përkthim. Jeton në Karnataka, Indi.
3) C. Thriveni, Cultural Elements in Translation, http://accurapid.com/journal/19culture.htm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *