Ndodhi që sivjet të ngelja në vjeshtë. Nuk e kam zakon, por sivjet e provova. Erdhën datat e provimeve edhe si gjithë të tjerët u regjistrova për provimet e mia. Iku provimi i para dhe përfundova tek i dyti. Ky ishte një provim në pamje të parë i thjeshtë dhe i përgatitur enkas për të ndihmuar studentët vjeshtakë që po piqeshin në vjeshtë për arsye të ndryshme.

Përshtypja e parë që më la provimi ishte e mirë. Mbarova i pari, dorëzova fletat e mia dhe ia mbatha për tu kthyer tri ditë më vonë për të marrë përgjigjen. Pas tri ditësh shkova në shkollë bashkë me shokun tim dhe kërkuam ca për pedagogen. Duke qenë se nuk e gjetëm, shkuam i futëm nga një filxhan kafe. E mbaruam kafen dhe unë i lash porosi shokut që të më lajmëronte kur të vinte pedagogia, se unë u riktheva në punë, që nuk e kam edhe aq larg shkollës. U ndamë.

Isha duke punuar. Në fakt, nuk kisha punë, thjesht po redaktoja një material që më duhej për përdorim vetjak. Në punë e sipër më ra sinjali i mesazheve të telefonit. E hapa dhe pashë që shoku im më kishte dërguar mesazh. I dhashë komandën lexo dhe fjalë-për-fjalë lexova: “James metodika te ben te fala. Si une edhe ti 4 na kish vene.” Në çastet e para nuk e vrava shumë, ju riktheva punës; do ta marr në sezonin tjetër thash. Por krimbi po me hante nga brenda. U çova dhe u nisa për në shkollë; thash të vetë t’i hedh një sy provimit, se nuk po ia imponoja dot vetes idenë që kisha marrë katër.

Kur mbërrita në shkollë, pas disa minutash, e kërkova ca pedagogen, por nuk e gjeta. Më pas përfundova në katin e katërt ku takova shokun tim, i cili më konfirmoi lajmin e hidhur. Jo vetëm (kafe) kaq. Ai gjithashtu më tha se pedagogjia, të cilën ai e kishte takuar personalisht, i kishte kallëzuar se do të na ndihmonte ne provimet e dimrit, kur të rilidhnim provimin, meqë tani nuk kishte mundur sepse, edhe pse ajo e kishte çuar limitin e kalimit në tridhjetë pikë, ne nuk i kishim marrë aq pikë.

Një “Ouuu!” habitore më doli instinktivisht. E çuditshme, thash me vete, duke u ndare me shokun tim dhe meqë isha aty u rinisa edhe njëherë në kërkim të pedagoges, e cila sigurisht që ishte zhdukur pa lënë gjurmë. U riktheva në punë.

Pasi mbërrita, këtu më filloi etapa e meditimit, e cila me detyroi të riktheja edhe një herë nëpër mend përshtypjen e parë mbi provimin, që ishte i thjeshtë dhe i strukturuar për të ndihmuar studentët. Tani po u jap më shumë detaje. Nga rreth dhjetë ushtrime, nja pesë kishin të ndërthurur fraza të tilla si. “sipas mendimit tuaj”, “si e vlerësoni ju”, “sipas vlerësimit tuaj” e gjëra të tilla. Kjo të jepte shpresë; dihet që mendimet janë të ndryshme dhe kjo nuk do të thotë që t‘i të jesh gjithmonë dakord me pedagogun sepse njerëzit nuk operojnë gjithmonë mbi të njëjtat etalonë, e kjo sidomos kur joshen nga fraza të tipit “sipas mendimit tuaj”. Kur dola nga provimi, nuk është se pretendoja ndonjë notë të lartë, por për të kaluar as e vija në dyshim. Megjithatë sikur të kisha pretenduar dhjetën nuk do ta teproja, pasi lash vetëm një ushtrim pesë pikësh pa punuar. Për të qenë modest, nëntë e thaja, domethënë nuk ma mohonte asgjë të drejtën për të menduar kështu kur dola nga provimi. Prapëseprapë ngela. Kjo edhe hahej. Por nuk hahej kjo tjetra: “nuk ju ndihmoja dot se nuk i kishit kapur tridhjetë pikë.”. Me sa mbaj mend nuk ia futa kot, shkrova vetëm çka kisha lexuar. Por kaq kotë t’ia kem futur vallë, e sidomos tek ato ushtrimet “sipas mendimit tuaj”?! Kjo nuk po më bind për kiamet.

Nuk me mbetej rrugë tjetër veçse të gjeja mënyrën për të justifikuar pedagogen time me rastin e ngeljes sime për herë të dytë, sigurisht jo për faj të saj, nga respekti që ushqej për pedagogët. Ja nisa. Në fillim u përpoqa të gjeja një mënyre se si fraza të tilla si: “sipas mendimit tuaj” mund ta interpretoja si: “sipas mendimit të pedagoges”. Të them të drejtim nuk ishte edhe aq e vështirë. Ja zgjidhja: Fraza “sipas mendimit tuaj” e nënkupton fjalën “pedagog”. Dua të them fraza “sipas mendimit tuaj” duhet lexuar dhe kuptuar kështu: “sipas mendimit (të pedagoges) suaj”. Aq e thjeshtë sa një plus një.

Por këtu me doli një problem; pse vallë pedagogia nuk e kishte shkruar pjesën e frazës që unë e kam shprehur me kllapa më lartë. Këtu të vijnë në kokë njëqind mendime të këqija për pedagogen që nuk meriton hiç. Eureka! Ja një zgjidhje e mundshme: Pedagogia është e shkrirë në sfond, në marrëdhënie ngjyrash, në pëlhurë. Mos, ta marrë dreqi! Po këtu nuk kemi të bëjmë me një pikturë. Ç’ma plasi shpirtin ky ekuacion pa numra, thash me vete.

Megjithatë nuk i dorëzova, vazhdova gërmimin edhe pse herë-herë më behej sikur dëgjoja “Gërmo Tare gërmo!”. Nuk ua vura veshin, vazhdova. Një tjetër zgjidhje me erdhi ndërmend. E zëmë se ushtrimet e tipit “sipas mendimit tuaj” i kisha bërë të gjithë mirë. Po sikur këto ushtrime të kishin vetëm nga një pikë. Pesë ushtrime herë një i thonë pesë pikë gjithsej; domethënë nuk kaloja. Në fundit të fundit unë pikët e ushtrimeve nuk i pashë, përveç të atij që lashë pa zgjidhur, që kishte tek pullë pesë pikë. Këtu me erdhi ndërmend edhe fjala e popullit të urtë “Kush kërkon, gjen.”.

Por pas pak më pushtuan vesveset. Po kjo do të ishte krejt e pandershme nga ana e pedagoges, që t’i vlerësonte ushtrimet e tipit “sipas mendimit tuaj” vetëm me nga një pikë. Por kjo as që mund të ndodhe; si mundet vallë të jetë i pandershëm një njëri që mban në ballë titullin pedagog dhe mban mbi shpatulla detyrën e vështirë të arsimimit të brezit të ardhshëm të intelektualëve?! Këtë mendim të ulët hiqe mendsh – i thash vetes dhe zgjidhjes time të parafundit i vura kryq, derisa …

Derisa ja tek doli përgjigjja shpëtimtare dhe “Tutkun!” i thash vetes. Po si vallë harrova Ligjin e Parë të Termodinamikës Universitare që thotë “Pedagogët kanë gjithmonë të drejtë.”?! Kjo i jep fund çështjes. Ne ngelëm se kemi merituar. Pedagogia nuk e plotësoi frazën “sipas mendimit tuaj” sepse ne kështu e kemi merituar. Ne jemi të paaftë se e kemi merituar. Ne e meritojmë çdo të keqe që na vjen nga pedagogët tanë dhe për këtë as mos e vini në diskutim. Pikë muhabeti!

Kjo ishte historia ime dhe arritja ime gjeniale qe e meritoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *