Një ditë të bukur shkolle, duke shkuar tek këndi i orarit në katin e parë të fakultetit tim, më tërhoqi vëmendjen një lajmërim i ngjitur pak më tutje mbi xham. Nga kureshtja u afrova dhe e lexova. Se për çfarë bënte fjalë nuk e mbaj mend, e edhe po ta mbaja mend nuk do të ishte e rëndësishme ta përmendja; e rëndësishme është të përmend faktin që lajmërimi në fjalë shkruante se rridhte nga një shef departamenti dhe nga rektori ynë; emrat e tyre ishin të shkruar me shkronja të trasha, por mungonin nja dy elemente të vogla, por jo pak rëndësishme, firma dhe vula. Ishte një lajmërim zyrtar, por ik e merre vesh ti që ishte i tillë, kur nuk përmbante asnjë element zyrtarizues. Të tilla mund të bënte me bollëk edhe një student mistrec dhe t’i ngjiste në të gjithë shkollën, duke përhapur kështu ndonjë lajm të rremë.

Bëra si bëra dhe e injorova këtë rast ekzemplar në llojin e vet, derisa sytë, një ditë tjetër, më kapën një prototip tjetër të ekzemplarit të parë. Mendova: këta e paskan kapur seriozisht. Po e njëjta gafe, në po të njëjtin fakultet, në të njëjtin universitet. E pata pak të vështirë ta besoja, por nuk kisha nga të vija; isha mat për herë të dytë. Më ngeci pështyma në grykë, i rashë njëherë ballit me dorë, por prapë asgjë nuk ndryshoi. Duke e komentuar këtë fakt tragjikomik më shokun tim, mora arratinë atë ditë.

Më tronditi më shumë fakti që pashë një gafë të përsëritur se sa fakti që lajmërimi ishte pa firmat dhe vulat përkatëse. Më erdhi ndërmend ajo shprehja e famshme e grekëve të lashtë që thotë: “Të zgjuarit mësojnë nga gabimet e të tjerëve, budallenjtë mësojnë nga gabimet e tyre” dhe më lindi një pyetje derivate e kësaj thënie: “Po këta tanët në cilën kategori hyjnë?”

Me që nuk e kam zakon t’i kritikoj njerëzit dhe sidomos kur ata nuk e meritojnë hiç këtë gjë, ju futa punës për të gjetur ndonjë arsye që t’i justifikoja kolltukarët tanë të dashur. Edhe pse jo shumë i suksesshëm, arrita të gjeja nja dy-tre, sa për t’i bërë qejfin vetes. I kam rreshtuar më poshtë:

Arsyeja numër 1: Ka mundësi t’u ketë mbaruar boja e vulës, me siguri për mungesë fondesh. Normale, me këtë shtet që ua jep lekët më pikatore, mbaron boja; duhet t’i ndjejmë kolltukarët tanë. S’e kanë ata në dorë në fund të fundit. Pa prit pak! Mirë boja e vulës që u ka mbaruar, po firmën pse nuk e kishin hedhur. Mos vallë nuk është bërë akoma tenderi për blerjen e stilolapsave? Ka gjasa.

Tjetër arsye: Ka mundësi t’u ketë humbur vula. Me këtë arsyen e dytë nuk dua të zgajtem shumë se mos dal në ndonjë qaf pakëz të pakëndshme. Ma ha mendja se mund ta merrni më mend pse. Nëse jo, ju orientoj unë. Besoj se e dini kuptimin e shprehjes frazeologjike, “Të humbtë vula!”. Nuk dua të kemi pleksje e ngatërresa të këtij lloji; nuk dua të më keqkuptojnë. Bo bo! Prapë ajo pyetja e mësipërme; mirë vula që ju ka humbur (larg qoftë), po stilolapsin pse s’e kanë përdorur për të hedhur firmën të paktën. Epo, u pa puna; po i rrasim prapë të njëjtën përgjigje: punë tenderësh, e kuptoni vet ju.

Është edhe një arsye e tretë, që më rrotullohet rreth rrudhave të ballit dhe që ka shumë mundësi që kjo të jetë me të vërtetë e vërtetë. Imagjinoni sikur sekretareve tona (lum si ne për to) t’u ketë zbritur urdhri nga lart për të shkruar një lajmërim dhe për ta afishuar atë. E imagjinoni dot; ndodh rëndom nuk është edhe aq e vështirë për t’u imagjinuar një skenë e tillë. Tani imagjinoni këtë tjetrën; ato e kanë përpiluar, printuar dhe afishuar lajmërimin, me që kanë përtuar të ngjiten një kat më lartë dhe ta vulosin e firmosin. Ndoshta kanë hezituar për shkak të burokracive; me gjitha ato sekretare që ka aty, duhet të kesh mik të fortë që shkosh një kat më lartë dhe të vulosësh një paçavure prej lajmërimi. “Më mirë e ngjisim direkt” kanë menduar ato, “dhe informojmë injorantët tanë studentë, se nuk dihet sa zgjat ky muhabeti i vulosjes dhe mbeten studentët tanë, të etuar për dije, të painformuar. Këtë të dytën e di që nuk e imagjinoni dot, por përpiquni pak; me pak mundim do e arrini dhe këtë.

Kaq ishin ato që munda të mbledh andej-këtej. I pakënaqur nga arsyetimet dhe justifikimet me të cilat do të mund të ngushëllohesha, nuk më mbetet gjë tjetër për të thënë veç se të uroj: “Mos pafsha me fytyra lajmërimesh të tilla!”. E di që janë ditë të vështira këto ditë, por gjërat të tilla e vështirësojnë akoma më shumë gjendjen, i japin një goditje vlerës së studentit, i zhveshin atij petkun e krenarisë, e nëpërkëmbin emrin e tij, tallen me gjendjen e tij, e përdorin plogështinë e tij, e prangosin lirinë e tij. Për këtë më vjen keq siç i vinte keq Migjenit për malësorin pa shollë nën këmbë, pa rrobë në kufomë dhe pa bukë për të ngrënë. Ma ka ënda të mendoj se po të ishte gjallë gjeniu, Migjeni, si objekt të shkrimeve të tij tani do të kishte studentet dhe gjendjen e tyre e jo malësoret.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *