Fenomeni i Lypsarisë në Tiranë

Kur për herë të parë apo të fundit shkon në Tiranë, me siguri nuk të ikën pa e vënë re mjerimi e trotuareve të saj të shtruar bukur apo të copëzuar si dhëmbët e prishur të një 80-vjeçari që nuk ka qenë asnjëherë tek dentisti. E shikon viktimën e parë të varfërisë porsa të shkel këmba në sheshet e përbaltura të kryeqytetit. E sa më shumë futesh në të, aq më shumë viktima shikon, aq më shumë të rrëngjethet mishi, aq më shumë të vjen për të qarë dhe, ndonjëherë, aq shumë të ngrihen nervat sa se ke idenë. Panorama është e dhimbshme. Ecën në punën tënde. Papritur të nxjerr nga tymnaja e mendimeve pamja lemeritëse e lypses pa këmbë, plakë dhe të rrudhosur, me një buzëqeshje prej lypseje në fytyrë, dhe dora që zgjatet, dhe buzët që lëvizin, por që nuk dihet se çfarë duan të thonë sepse nuk të lënë ta dëgjosh makinat që kalojë zhurmshëm aty pranë, apo zëri i lypses plakë është shumë i mekur. Ti e kupton direkt që po kërkon ti falësh diçka. Ti nxiton më shumë se nuk duron dot pamjen edhe pse do t’i japësh diç plakës së gjorë.