Përkthyesit dhe Redaktorët

U bë një kohë e gjatë tashmë që është drejtuar gishti nga përkthyesit për dështimet gjuhësore të shqipes. Në fakt paaftësia e tyre nuk është e egzagjeruar, ajo bën mu. Pjesa e lënë në hije, që është zveshuar nga përgjegjësia e këtyre dështimeve, janë redaktorët. Pa mbrojtur aspak përkthyesit, që janë shtuar sasiorisht, por jo cilësisht, dua që bashkëfajtorët e mizorive gjuhësore që gjenden gjithandej t’i dalin për zot pjesës së tyre të fajit. Në fund të fundit ata nuk e marrin rrogën kot apo, sic thotë populli, s’e hanë bukën kot.

Njohja e Kulturës së Gjuhës së Interpretimit

Ekzistojnë dy faktorë që ndikojnë në cilësinë e produktit përfundimtar të një përkthimi apo interpretimi. Këta dy faktorë janë konteksti dhe situata. Ndërkohë që konteksti është gjuhësorë situata është jashtë gjuhësore.1 Konteksti ka të bëjë më kuptimin leksikor dhe gramatikor të vetë fjalëve të një fraze, fjalie, paragrafi apo teksti kurse situata ka të bëjë me vendin, kohën dhe njerëzit që e sendërtojnë këtë kontekst. Sa herë që flasim për një vend, kohë dhe popullsi të caktuar sigurisht që kemi parasysh karakteristika dhe veçori që dallojnë nga të tjerat. Këto karakteristika dhe veçori të një vendi që popullohet nga një popullsi e caktuar është vetë kultura e atij vendi dhe e asaj popullsie në një periudhë historike të caktuar.