Xhamia e madhe në mendjet e vogla

Me stil të rëndë dhe të palexueshëm, Kastriot Frashëri, ngre shqetësimin e tij për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë në shkrimin e tij “Xhamia e Madhe apo hija e neo-otomanizmit në Tiranë”. Mes shumë mendimeve të radhitura kuturu, z. Frashëri pretendon se ndërtimi i xhamisë së madhe “cënon rëndë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare dhe do të ishte një hap që do të na largonte më shumë nga Europa dhe do të na traumatizonte si shoqëri” dhe se “ndërtimi i saj do të cenojë rëndë sigurinë kombëtare”. Prandaj z. Frashëri bën thirrje për referendum. Për z. Frashëri identiteti jonë kombëtar është joislam dhe trazhëgimia jonë kulturore është ajo e prishjes së xhamive. Pra duket qartë që z. Frashëri e ka lexuar historinë e Shqipërisë që nga viti 45 e këtej. Këtë e vërteton katërcipërisht fakti që z. Frashëri i përket “shumicës ateiste të këtij vendi”(?!). Prandaj ndjenja tjetër që mbizotëron në qenien e tij është frika – frika nga myslimanët. Në rreshtat në vijim duam t’i kujtojmë z. Frashëri dhe të tjerëve të paqartë në këtë temë se:

1. Ndërtimi i xhamisë së madhe në Tiranë është në radhë të parë nevojë e besimtarëve myslimanë të cilët falen në trotuare çdo të premte në shumicën e xhamive të Tiranës. Si dyti, ndërtimi i xhamisë së madhe është i nevojshëm për të balancuar tablonë fetare të Tiranës ku, siç të gjithë jemi në dijeni, ekzistojnë sot dy objekte kulti të ndërtuara pas rënies së regjimit komunist dhe që përfaqësojnë më së miri dy komunitetet e tjera fetare në Shqipëri. Dhe është për tu përshëndetur fakti që këtë herë u hodh guri i themelit për ndërtimin e kësaj xhamie, pas shumë sorollatjeve në çdo prag zgjedhjesh.

2. Identiteti kombëtar i shqiptarëve nuk mund të vendoset nga lartë. Që nga kristalizimi i identitetit tonë kombëtar, e vetmja kohë kur shqiptarëve u është imponuar që të jenë ateistë, armiq të fesë, të urrejnë Turqinë, d.m.th. Perandorinë Osmane, është periudha e komunizmit. Kjo duket qartë në identitetin e z. Frashëri. Kështu ndihen fatkeqësisht edhe shumë shqiptarë të tjerë të pavetëdijshëm për historinë e vërtetë të tyre.

Shqiptarët janë shqiptarë, dhe si çdo qenie tjetër njerëzore, kanë të drejtë të ndjekin fenë e tyre, të zgjedhur apo të trashëguar. Të gjithë janë dakord me këtë, deri kur vjen fjala tek feja Islame. D.m.th, shqiptarët kanë të drejtë të jenë katolikë e ortodoksë sa dhe si të duan, por jo myslimanë sepse nuk i pëlqen Europës. Kjo ndjenjë e thellë inferioriteti dhe e urrejtjes së vetvetes është një sëmundje laboratorike e kohës së komunizmit akoma e patrajtuar mirë. Ka ardhur koha që të dalim nga mentaliteti i sahanlëpirësit dhe të trokasim në dyert e Europës siç jemi në të vërtetë.

3. Sa për sigurinë kombëtare, mendoj se fjalët janë të tepërta. Pavarësisht se çfarë po imponohet sot përmes ekraneve të televizorëve, kjo çështje mund të konsiderohet shumë thjesht budallallëk të diskutohet në Shqipëri.

Për ta mbyllur, ndërtimi i xhamisë së madhe në Tiranë, si nevojë për besimtarët dhe për balancë ndërfetare është një hap në drejtimin e duhur. Kjo gjë nuk e dëmton aspak imazhin e Shqipërisë përballë Europës dhe botës, por përkundrazi, u tregon atyre që ne Shqiptarët kur flasim për harmoni ndërfetare, e kemi seriozisht e nuk e thonë këtë vetëm për tu hedhur hi syve të tjerëve. Kjo gjithashtu ndihmon në përforcimin e identitetit tonë kombëtar si një shoqëri e hapur dhe empatike.

Botuar fillimisht në gazetën Sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *